shqiptarizmi
  SADUDIN GJURA
 

Lindi në vitin 1926, në fshatin Shipkovicë. Mësimet e para i bëri në fshatin e lindjes, të mesmen në Tetovë, kurse studimet e gjuhës ruse në Shkup. Ai ishte ndër profesorët e parë të Pollogut dhe të Malësisë së Sharrit. Punoi si mësues në shumë fshatra, ndërsa në vitin 1951 vepron si profesor në Normalen e Tetovës.

Në vitin 1952, profesorin e nxjerrin nga mësojtorja dhe prej asaj dite nxënësit nuk e shohin më. Dënohet me 14 vjet burg, por përjetoi vetëm 8 vite nëpër burgjet e errëta dhe kazematet jugosllave të asaj kohe në Idrizovë e Goli Otok. Nga burgu doli i sëmurë psikikisht dhe i paaftë për jetë. Vdekja e tij mbeti enigmatike me dekada. Pas lëshimit nga burgu, gjatë dimrit të madh, humbet në malet e Sharrit. Barinjët e Sharrit e gjejnë kurmin e tij të shformuar dhe të derdhur në qershor të vitit 1962.

Ishte poet dhe dramaturg i martirizuar. Shkroi një grumbull poezishë, por thuajse shumica prej tyre u humbën ose u sekuestruan nga pushteti. Ka shkruar poezinë e gjatë me 50 vargje "Jeta e re e njerëzimit po agon", që e botoi për herë të parë Jeta e Re e Prishtinës, në fillim të viteve 5O-të. Duke i falënderuar dr. Kadir Shabanit nga Shipkovica, të shoqëruar me shënime për autorin, këtë poezi e ribotuam në revistën Brezi 9, para disa vitesh. Nga të afërmit e tij janë ruajtur edhe poezia "Vaj si qenka ba Tetova", "Marshi i normalistit", "Kanga e punëtorit" e tjerë.

Sadudin Abdulla Gjura mbet emër letrar i asaj ane,veçmas me dramën "Lalë Bajrami", si dhe me dramat "Fejesa në djep", "Shqipja e malit" dhe "Dervish Cara". Edhe pse veprimtaria e tij letrare ende nuk njihet plotësisht, për jetën dhe veprën e tij, kanë shkruar me konsideratë zotërinjtë Shaip Emërllahu, që ngriti inisiativën për ngritjen e përmendores së tij në Shipkovicë dhe dr.Ejup Ajdini, ky i fundit duke e përfshirë në tezën e doktoratës dhe duke e botuar, me baza shkencore, dramën e Sadudin Gjurës "Lalë Bajrami", e rruajtur me shenjtëri, nga zonja Shazie Hoxha në Ohër

 

 
  Today, there have been 11 visitors (25 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free